Ndërlidhjet

Bislimi: Serbia ende po refuzon ta zbatojë Marrëveshjen Bazë


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. Fotografi nga arkivi.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. Fotografi nga arkivi.

Zëvendëskryeminsitri i Kosovës, Besnik Bislimi, akuzoi Serbinë se po vazhdon të refuzojë që ta zbatojë Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, një vit pas arritjes së saj.

Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

Marrëveshja nuk është nënshkruar, por Bashkimi Evropian – që ndërmjetëson procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë – tha se ajo është ligjërisht e obligueshme për palët.

“Kur do të duhej të ishim në rrugën e drejtë të zbatimit të plotë dhe pa kushte të marrëveshjes së Brukselit, shënojmë një vit nga dita kur u dakordua ajo, dhe Serbia ende refuzon ta nënshkruajë e rrjedhimisht dhe zbatojë marrëveshjen. Përkundrazi, përgjatë kësaj periudhe njëvjeçare jemi përballur me shkeljet e Serbisë, përshkallëzimet e saj në terren, refuzimin verbal dhe zyrtar të marrëveshjes dhe qasjes së vazhdueshme destruktive”, shkroi Bislimi në Facebook.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Brukseli ka akuzuar të dyja palët për moszbatim të marrëveshjes.

Bislimi tha se Serbia “shantazhoi dhe kërcënoi serbët” që të bojkotonin zgjedhjet lokale në veri prillin e vitit të kaluar, e akuzoi për sulm të institucioneve pas marrjes së detyrës së kryetarëve të rinj shqiptarë në veri dhe protestat e dhunshme në maj të vitit të kaluar.

Ai po ashtu përmendi sulmin e armatosur të kryer nga një grup serbësh ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, për të cilin Kosova e fajëson Serbinë, por Beogradi mohon se nuk ka gisht në të.

“Në vetëm një vit, të gjitha këto akte e sjellje, dëshmuan se Serbia po e pengon fuqishëm avancimin në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve e njohjes reciproke”, tha Bislimi.

Bislimi, që është kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë, tha se Kosova është e përkushtuar për zbatimin e “plotë, të drejtë e pa kushte” të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të saj.

Nga 11 pikat e Marrëveshjes Bazë, deri më tani palët kanë zbatuar vetëm ato që kanë të bëjnë me personat e zhdukur dhe njohjen e targave të makinave.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të raporteve ka nisur më 2011. Procesi ndërmjetësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG